Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare në Gjermani, me prejardhje nga Gjilani, Sejdi Sopi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve politike në Kosovë, duke akuzuar si pushtetin ashtu edhe opozitën për përçarje të thellë të shoqërisë.
Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Sopi ka theksuar se kjo përçarje po reflektohet negativisht edhe në mërgatën shqiptare.
Ai e ka cilësuar sjelljen e politikanëve si “miopi politike” të udhëhequr nga interesa të ulëta dhe mungesë edukimi.
“Pushtetet dhe opozita politike konsumojnë fajin historik për përçarjen dramatike të qytetarisë në Kosovë, e që ky ‘virus’ lëshon rrënjë pashmangshëm edhe në mërgatën shqiptare,” ka shkruar Sopi.
Sipas tij, sjelljet arrogante dhe injoranca po rrezikojnë seriozisht shtetin dhe perspektivën e qytetarëve, duke komprometuar imazhin e Kosovës në sytë e opinionit ndërkombëtar.
Në fund, veprimtari ka dërguar një mesazh të prerë për udhëheqësit:
“Politikanë të Kosovës, ndryshoni qasjen dhe diskursin politik në favor të përparimit dhe unitetit publik, se do të vije një ditë që do të përfundoni të poshtëruar!”
