EKONOMI / Kastrati analizon Pakon 2.0, nga 1 qershori lehonat marrin 500 euro

Drejtori i Financave në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, ka bërë një analizë të thallë mbi Pakon 2.0 të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar lart rolin e saj të rëndësishëm në ekonominë sociale dhe në mbështetjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve përballë sfidave të rënda ekonomike dhe inflacionit.

Sipas tij, mbështetja e zgjeruar për pensionistët, fëmijët, studentët, punëtorët e sektorit privat dhe lehonat dëshmon për një qasje të domosdoshme sociale të shtetit ndaj mirëqenies së familjes.

Kastrati ka veçuar vendimin që nga 1 qershori mbështetja për lehonat të arrijë në 500 euro, duke kujtuar rritjen progresive që ka pësuar kjo ndihmë nga 170 euro, në 325 e tani në 500 euro.

Ky hap, sipas tij, ndihmon familjet në periudhën më të ndjeshme pas lindjes, zbut barrën e rritjes së çmimeve dhe konsiderohet një investim direkt në natalitet dhe në stabilitetin social të shtetit.

Kryefinancieri i Gjilanit ka thyer edhe një paragjykim të shpeshtë rreth këtyre fondeve, duke sqaruar se këto mjete nuk mbesin jashtë ekonomisë së vendit, por rikthehen menjëherë në treg, në konsum dhe te bizneset vendore për nevoja bazike si barna, ushqim e arsim, duke stimuluar kështu zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Ai ka tërhequr një paralele mjaft interesante, duke kritikuar faktin se në opinion nuk flitet me të njëjtin intensitet për milionat që shpenzohen në procese të vazhdueshme zgjedhore.

Kastrati ka përkujtuar se vetëm para katër muajsh vendi kaloi përmes një procesi zgjedhor, ndërsa sërish po përballemi me procese të reja dhe me shpenzime të mëdha financiare për organizime, fushata e administrim nga institucionet dhe subjektet politike.

Në fund të analizës së tij, Avdyl Kastrati ka potencuar se ndërsa shpenzimet e zgjedhjeve kalojnë në heshtje, alokimi i mjeteve për fëmijët, pensionistët apo sektorin privat shpeshherë hap debate të panevojshme sikur këto po bëhen barrë për buxhetin.

Sipas drejtorit të financave, ekonomia sociale nuk duhet parë asnjëherë si shpenzim i kotë, por si një shtyllë stabiliteti për shoqërinë.

Ai ka përfunduar me mesazhin e prerë se këto janë investime jetike që i kthehen drejtpërdrejt shtetit, sepse kur ndihmohet dhe fuqizohet familja e qytetari, automatikisht forcohet edhe vetë shteti.

 

Shpërndaj me të tjerët