EKONOMI/ Kastrati: Ruajtëm stabilitetin buxhetor, përkundër 5.2 milionë eurove nga përmbaruesit

Komuna e Gjilanit ka publikuar raportin financiar për gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, ka bërë të ditur se nga 41.9 milionë euro sa është buxheti vjetor, deri më 30 qershor janë shpenzuar 22.6 milionë euro (ose 53.9%).

​Kastrati sqaroi se me këto mjete është garantuar pagesa e rregullt e pagave, funksionimi i arsimit, shëndetësisë dhe gjithë administratës komunale.

​Në anën tjetër, të hyrat vetanake kanë arritur në 2.39 milionë euro.

Drejtori Kastrati bëri të ditur se për shkak se faturimi i tatimit në pronë ka nisur vetëm më 1 prill, dinamika më e lartë e inkasimit pritet gjatë pjesës së dytë të vitit.

​Sipas drejtorit të Financave, sfida më e rëndë me të cilën është përballur komuna gjatë këtij gjashtëmujori kanë qenë ekzekutimet e detyrueshme nga vendimet gjyqësore dhe përmbaruesit, të cilat kapin shifrën e mbi 5.2 milionë eurove.

​Nga kjo shumë: ​3.09 milionë euro janë marrë nga mallrat dhe shërbimet, ​1.92 milionë euro nga investimet kapitale, pjesa tjetër nga shpenzimet komunale dhe subvencionet.

“Këto ekzekutime kanë kufizuar ndjeshëm hapësirën tonë fiskale dhe kapacitetin për të financuar projekte të reja. Megjithatë, përmes një menaxhimi të kujdesshëm, kemi arritur të ruajmë funksionimin e rregullt të institucioneve dhe shërbimeve ndaj qytetarëve,” deklaroi Avdyl Kastrati.

Drejtori Kastrati njoftoi se për gjashtëmujorin e dytë fokusi i tij dhe i drejtorisë do të jetë te rritja e inkasimit të të hyrave vetanake, përshpejtimi i investimeve kapitale dhe disiplina e rreptë fiskale.

Shpërndaj me të tjerët