Stacioni Policor në Gjilan ka mirëpritur një grup fëmijësh nga institucioni parashkollor INTEGJ, të shoqëruar nga edukatorët dhe prindërit e tyre.
Qëllimi i vizitës ishte njohja e fëmijëve me punën e Policisë së Kosovës dhe rëndësinë e sigurisë në komunitet.
Fëmijët fillimisht vizituan sallën e takimeve, ku u njohën me detyrat e policisë dhe rregullat e trafikut.
Më pas, zyrtarët e njësisë “Sektor dhe Komunitet” i shoqëruan në zyra të tjera për t’u njohur më afër me funksionimin e njësive policore dhe pajisjet që përdoren gjatë punës.
Gjatë qëndrimit në stacion, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet policisë, shkollave dhe komunitetit.
Fëmijët morën këshilla praktike për sigurinë në shkollë, rrugë, familje dhe hapësira publike, duke nxitur ndërgjegjësimin për një ambient të sigurt për të gjithë.
Policia e Kosovës konfirmoi përkushtimin e saj për të forcuar bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe komunitetin, duke edukuar brezat e rinj mbi rëndësinë e sigurisë, rendit dhe respektimit të ligjit.
