Drejtori i shkollës 9-vjeçare “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë, Zaim Zymeri, ka bërë të ditur se bashkëatdhetari Beqir Rafuna, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, i ka dhuruar shkollës dy makina të reja profesionale për pastrimin e dyshemeve.
Përmes një mesazhi publik, drejtori Zymeri ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për këtë kontribut të çmuar:
”Me ndjenjë të thellë falënderimi, shprehim mirënjohjen tonë për bashkëvendësin tonë, Beqir Rafuna, i cili asnjëherë nuk e harron vendlindjen. Dhurimi i dy makinave profesionale do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve dhe higjienës në shkollën tonë. Faleminderit për bujarinë dhe shembullin e mirë!”
