Pas një pritjeje të gjatë, shëndetësia në Gjilan pasurohet me një kuadër të ri e të kualifikuar.
Dr. Arjeta Abazi Veliu ka përfunduar me sukses specializimin në Pediatri pranë Qendrës Klinike Universitare të Prishtinës (QKUK), duke u kthyer në qytetin e saj për t’u shërbyer pacientëve më të vegjël.
E lindur në Përlepnicë, Dr. Abazi Veliu ndoqi me këmbëngulje ëndrrën e saj për t’u bërë mjeke. Pas shkollimit fillor në vendlindje dhe atij të mesëm në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, ajo përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë me sukses të shkëlqyer dhe në kohë rekord.
Përpara se të niste specializimin në nëntor të vitit 2020, ajo dha kontributin e saj si mjeke vullnetare në QKMF-në e Gjilanit, si dhe punoi për katër vite si mësimdhënëse në shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, ku përgatiti brezat e rinj të teknikëve mjekësorë.
Specializim me standarde ndërkombëtare
Ajo që e bën edhe më të veçantë rrugëtimin e saj janë trajnimet e avancuara jashtë vendit. Dr. Arjeta ka ndjekur programe të specializuara në Hemato-Onkologji pediatrike në Holandë dhe Poloni, duke u certifikuar me diplomë ndërkombëtare në një nga fushat më të ndjeshme të mjekësisë.
Me ardhjen e Dr. Arjeta Abazi Veliut, prindërit në Gjilan do të kenë një adresë më shumë të sigurt për shëndetin e fëmijëve të tyre, duke sjellë përvojën e fituar nga klinikat evropiane direkt në shërbimin tonë spitalor.

