Gjilani në këmbë për Kosovën, ndeshja ndiqet në shesh

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka ftuar qytetarët që të bashkohen për ta ndjekur së bashku ndeshjen vendimtare të Kosovës në play-off për Kupën e Botës.

Ai ka theksuar se kjo është një natë e veçantë për të gjithë, ku Kosova ka mundësinë të shkruajë histori në futbollin botëror.

“Të dashur qytetarë, nesër është dita e madhe. Kosova jonë luan finalen e play-off-it kundër Turqisë për një vend në Kupën e Botës. Meqenëse biletat në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ janë shitur të gjitha, ne kemi vendosur që atmosferën e stadiumit ta sjellim në zemër të qytetit tonë. Ju ftoj të gjithëve që ta ndjekim këtë përballje historike në ekranin e madh”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, organizimi do të bëhet në një nga hapësirat kryesore të qytetit, ku pritet pjesëmarrje e madhe e qytetarëve.

Vendi: Sheshi “Agim Ramadani” (Platoja e Teatrit)

🕘 Koha: Nesër, nga ora 20:45

Ky organizim synon të bashkojë qytetarët në përkrahje të Kosovës, në një natë që mund të hyjë në histori.

Shpërndaj me të tjerët