Gjilani nis rindërtimin e kadastrit nga 1 prilli

Nga 1 prilli nis rindërtimi i kadastrit në Gjilan, thirrje qytetarëve për përfshirje

Asambleisti dhe ish-drejtori i Kadastrës në Gjilan, Bekim Salihu, ka njoftuar se nga data 1 prill do të nisë procesi i rindërtimit të kadastrit në komunë.

Sipas tij, projekti do të përfshijë zonën kadastrale të Gjilanit dhe disa lokalitete të tjera, përkatësisht: lagjet Dheu i Bardhë dhe Arbëria, si dhe ZK Livoç i Epërm, Bresalc, Dobërçan dhe Shillovë.

Salihu u ka bërë thirrje banorëve të këtyre zonave që të bëhen pjesë e këtij projekti, duke theksuar se do të përfitojnë shërbime kadastrale pa pagesë.

Në kuadër të këtij procesi, qytetarët do të kenë mundësi të përditësojnë dhe përmirësojnë të dhënat mbi pronësinë, të rrisin sigurinë dhe vlerën e pronës, si dhe të bëjnë përcaktimin e kufijve të parcelave dhe matjen e objekteve për legalizim.

Po ashtu, projekti synon të lehtësojë edhe procedurat e trashëgimisë.

Fillimisht, qytetarët ftohen të marrin pjesë në dëgjimet publike dhe takimet informuese, ku do të marrin të gjitha detajet lidhur me këtë proces.

Shpërndaj me të tjerët