Një ngjarje e trishtë ka shënuar mëngjesin e Kurban Bajramit në fshatin Kmetovc të Gjilanit, ku haxhiu Shefki Latifi ka ndërruar jetë në xhami, pak para nisjes së faljes së namazit të Bajramit.
Lajmin e ka bërë të ditur imami i xhamisë së fshatit, Nazim Nurseli, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.
Sipas tij, besimtarët kishin falur namazin e sabahut dhe po bëheshin përgatitjet për faljen e namazit të Bajramit, kur i ndjeri ia dorëzoi shpirtin Allahut.
Nurseli e përshkroi Shefki Latifin si një burrë të devotshëm, të dashur për të gjithë, haxhi, agjërues dhe besimtar shumë të përkushtuar, i cili ishte i lidhur ngushtë me xhaminë dhe adhurimet fetare.
“Allahu të mëshiroftë baci Shefki! Allahu të shpërbleftë dhe të gradoftë në xhenetet e larta”, ka shkruar ai.
Vdekja e Shefki Latifit në ditën e Kurban Bajramit dhe brenda xhamisë ka prekur thellë familjarët, miqtë dhe bashkëfshatarët e tij, të cilët e kujtojnë si njeri të urtë, fisnik dhe shembull të përkushtimit fetar.
