HUMANE / Punëtorët e “Hidromoravës” në Gjilan shpëtojnë familjen e shotave nga qentë endacakë (VIDEO)

Punëtorët e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidromorava”, përveç punës së tyre të palodhshme në shërbim të qytetarëve, sot kanë treguar një akt të lartë humanizmi duke shpëtuar një jetë tjetër në rrezik.

Gjatë kryerjes së detyrave në terren, punëtorët kanë hasur në një shotë të egër bashkë me zogjtë e saj të vegjël, të cilët po sulmoheshin nga një tufë qensh endacakë.

Pa hezituar, ata kanë ndërhyrë duke i larguar qentë dhe duke i marrë shpendët nën mbrojtje.

Për t’u siguruar që familja e shotave të ishte e sigurt, punëtorët i kanë transportuar ata me kujdes drejt një zone me ujë, ku edhe i kanë liruar në ambientin e tyre natyror.

Ky gjest fisnik është dokumentuar përmes një videoje, ku shihet momenti i kujdesit dhe lirimit të tyre.

Ky akt human është vlerësuar lart nga qytetarët, duke u cilësuar si një shembull se si duhet treguar kujdes ndaj gjallesave dhe mjedisit që na rrethon.

 

Shpërndaj me të tjerët