Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka zhvilluar takim pune me kabinetin e tij, ku bashkë me drejtorët komunalë kanë analizuar progresin e deritashëm të qeverisjes lokale.
Sipas tij, fillimi i mandatit po konfirmon përkushtimin për avancimin e proceseve me efikasitet dhe transparencë.
Gjatë takimit, drejtorët raportuan për një sërë çështjesh kyçe, përfshirë reformat në Kadastër, ku është theksuar thjeshtimi i procedurave dhe rritja e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Po ashtu, u diskutua edhe për projektet madhore infrastrukturore, të cilat ndodhen në fazën përfundimtare dhe që pritet të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës dhe pamjes së qytetit.
Në takim u trajtuan edhe zotimet e mandatit të ri, duke u përcaktuar hapa konkretë për realizimin e premtimeve gjatë katërvjeçarit, si dhe dinamika e punimeve në terren, me theks në mbikëqyrjen e vazhdueshme për të garantuar cilësi dhe respektim të afateve.
Hyseni ka theksuar se qeverisja lokale synon të vendosë standarde të reja të llogaridhënies, me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve.

