INFRASTRUKTURA/ Zhbllokohet qarkorja e vjetër në Gjilan, qeveria voton shpronësimet, kursehen 20 milionë euro

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka përshëndetur vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e pronave në zonën e qarkores së vjetër të qytetit, duke e cilësuar si një hap historik.

Ky vendim u jep fund problemeve pronësore që datonin që nga periudha e paraluftës, duke u hapur rrugë projekteve për zgjerimin dhe modernizimin e kësaj zone jetike për trafikun urban.

Përmes këtij votimi në mbledhjen e Qeverisë, qytetarët pronat e të cilëve ishin prekur do të kompensohen, ndërkohë që Komunës së Gjilanit i janë kursyer së paku 20 milionë euro, të cilat do të duhej të paguheshin përmes vendimeve gjyqësore.

Kryetari Hyseni ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e parezervë të Kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit qeveritar, duke theksuar se ky proces ka kaluar nëpër sfida të shumta deri në finalizimin e tij.

Ky investim dhe zgjidhja e nyjës pronësore pritet të transformojë infrastrukturën e Gjilanit, duke mundësuar një qarkullim më të lirshëm dhe modernizim të plotë të qarkores së vjetër.

 

Shpërndaj me të tjerët