Parcela prej 9 ari e 45 metrash, e cila për një kohë të gjatë kishte mbetur e pashfrytëzuar, zyrtarisht do t’i bashkohet kampusit të shkollave të mesme në Gjilan.
Vendimi ka marrë dritën jeshile në seancën e fundit të Kuvendit Komunal.
Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan, Jeton Rexhepi, i cili ka shpalosur edhe planin se si do të rregullohet kjo sipërfaqe.
”Do të rregullojmë një hyrje ballore për gjimnazin natyror, ndërsa pjesa tjetër do të rregullohet me gjelbërim dhe dekorime përcjellëse,” është shprehur Rexhepi.
Kjo hapësirë e lënë boshe prej kohësh ka qenë nën menaxhimin e Ekonomisë së Pyjeve.
Megjithatë, përmes një ligji të posaçëm për këtë kategori, parcelat kanë kaluar automatikisht në pronësi të Komunës së Gjilanit.
Vendimi për shpalljen e kësaj zone me interes të veçantë komunal mori mbështetje të plotë në Kuvendin Komunal, ku u votua me 23 vota për dhe asnjë kundër.
Rexhepi bëri të ditur se tashmë mbetet vetëm kryerja e procedurave administrative dhe se brenda një afati sa më të shpejtë kohor, kjo pjesë do të jetë plotësisht në shërbim të kampusit të shkollave të mesme.
