Klubi i Karatesë AS nga Gjilani ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Turneun Memorial “Haki Ibërdemaj”, i cili u mbajt këtë të dielë në qytetin e Pejës.
Ndonëse u përfaqësua me vetëm tre garues në këtë aktivitet, ekipi gjilanas arriti të fitojë gjithsej pesë medalje, duke dëshmuar një efikasitet të lartë dhe përgatitje të shkëlqyer teknike përballë konkurrentëve.
Protagonistja kryesore e këtij suksesi ishte Kiara Beqiri, e cila shkëlqeu në tatarishte duke u stolisur me dy medalje të arta.
Paraqitje mjaft të mirë pati edhe Alnisa Miftari, e cila fitoi një medalje të argjendtë dhe një të bronztë, ndërsa suksesi i ekipit u plotësua nga Erina Sherifi, e cila arriti të rrëmbejë medaljen e bronztë në kategorinë e saj.
Trajneri i KK AS Gjilan, Alban Beqiri, u shpreh mjaft i kënaqur me performancën e treguar nga garuesit e tij në këtë turne memorial.
Ai vlerësoi lart faktin se me një numër minimal pjesëmarrësish, klubi arriti të kthehet në Gjilan me një numër kaq të madh medaljesh, duke konfirmuar rrugën e drejtë dhe punën cilësore që po bëhet me talentet e reja të karatesë.

