Lajme / PDK kundërshton vendimin për deponinë në Malishevë, rrezikohet uji për 800 shtëpi

Vendimi për caktimin e lokacionit për mbeturina inerte në fshatin Malishevë pritet të jetë pika më e nxehtë e debatit në seancën e nesërme të Kuvendit Komunal të Gjilanit. Kryetari i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka reaguar ashpër ndaj propozimit të Kryetarit të Komunës, duke kërkuar që ky vendim të mos miratohet, pasi sipas tij, procesi është udhëhequr pa asnjë njoftim apo konsultim publik me banorët e prekur.

Lokacioni i propozuar në vendin e quajtur “Prrunishtë” konsiderohet jetik për ekzistencën e fshatit. Në këtë zonë ndodhen dhjetëra puse familjare si dhe rrjeti i ujësjellësit që furnizon mbi 800 shtëpi të Malishevës.

Vendosja e një deponie mbeturinash në këtë pikë, sipas opozitës, përbën një rrezik permanent për kontaminimin e ujit të pijshëm dhe shkatërrimin e mjedisit në njërën nga pjesët më karakteristike të fshatit.

PDK e ka cilësuar këtë propozim-vendim si skandaloz dhe të dëmshëm për shëndetin publik, duke paralajmëruar kundërshtim me të gjitha format demokratike dhe organizative.

Rashiti ka bërë thirrje publike drejt të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal dhe subjekteve politike që të radhiten krahas interesit të banorëve dhe të votojnë kundër këtij projekti në seancën e nesërme.

Mbetet të shihet nëse thirrja e opozitës dhe shqetësimi i banorëve do të gjejnë mbështetje te pjesa tjetër e delegatëve komunalë, apo nëse Malisheva do të detyrohet të përballet me një situatë të re emergjente mjedisore.

 

Shpërndaj me të tjerët