Kultura / Aktori gjilanas Ridvan Murati shpallet fitues në Zvicër me filmin “Heldin”

Aktori i njohur nga Gjilani, Ridvan Murati, i cili prej kohësh jeton dhe zhvillon karrierën e tij në Zvicër, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në skenën ndërkombëtare.

Filmi në të cilin ai luan, i titulluar “HELDIN”, është shpërblyer me çmimin si filmi më i mirë në Zvicër në edicionin e sivjetshëm të “Prix Walo”.

Ky vlerësim vjen në një përvjetor jubilar, atë të 50-të të “Prix Walo”, që konsiderohet si një nga çmimet më prestigjioze dhe me traditën më të gjatë në Evropë, i krahasueshëm për nga rëndësia me çmimet “Oscar” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e gëzueshëm e ka ndarë vetë aktori përmes rrjeteve sociale, duke shprehur emocionet e tij për këtë arritje të madhe krah producentit të filmit, Lukas Hobi.

Murati u shpreh se ishte një nder i veçantë të ngjitej në skenë krahas fituesve të tjerë të këtij edicioni historik.

Përmes një mesazhi falënderues, aktori ka mirënjohur mbështetjen e pakursyer të ekipit realizues, bashkëpunëtorëve, familjes dhe miqve, të cilët kanë qenë krahas tij në çdo hap të rrugëtimit profesional.

Ky sukses i Ridvan Muratit nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një krenari për qytetin e Gjilanit dhe gjithë komunitetin artistik shqiptar në diasporë.

 

Shpërndaj me të tjerët