Sport / Gjilani dhe Ferizaj ndajnë pikët në një sfidë dramatike me fund të jashtëzakonshëm

Në kuadër të javës së 32-të të Superligës së Kosovës, Gjilani dhe Ferizaj kanë luajtur baras 1-1 në një ndeshje që dhuroi emocione deri në sekondat e fundit, por që në fund nuk i shërbeu plotësisht objektivave të asnjërës skuadër.

Për Gjilanin, ky barazim ia vështirëson matematikisht arritjen e pozitës së tretë, ndërsa për Ferizajn mbijetesa mbetet një mision tejet i vështirë.

Ndeshja ishte mjaft e tensionuar dhe u karakterizua nga një numër i madh i kartonëve të verdhë, duke reflektuar presionin që kishin të dyja kampet.

Episodi i parë i rëndësishëm ndodhi në minutën e 67-të, kur Betim Haxhimusa realizoi për mysafirët, por pas rishikimit në sistemin VAR, goli u anulua për një faull paraprak gjatë aksionit.

Kur ndeshja po i afrohej fundit, konkretisht në minutën e 82-të, Gjilani arriti të zhbllokonte rezultatin.

Pas një harkimi preciz nga Edi Basha, sulmuesi Senad Jaroviq u tregua i saktë me kokë duke dërguar topin në rrjetë për 1-0.

Megjithatë, drama e vërtetë ishte rezervuar për minutat shtesë. Në sekondat e fundit, Ferizaj fitoi një penallti, të cilën Erion Sadriu nuk arriti ta konkretizonte.

Por, në aksionin vijues që rrodhi menjëherë pas penalltisë së humbur, Claude u gjend më së miri në zonë dhe me një goditje me kokë barazoi shifrat në 1-1, duke shpëtuar një pikë për skuadrën e tij.

Pas këtij barazimi, Gjilani renditet në pozitën e pestë me 45 pikë, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e parafundit me 34 pikë, duke e bërë luftën për mbetje në elitë edhe më të ethshme për xhirot e mbetura.

 

Shpërndaj me të tjerët