Mbrojtja e fëmijëve në epokën digjitale: Ligjërata në Gjilan për sigurinë në internet
Në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet e lojërave online”, Njësia për Sektor dhe Komunitet e Stacionit Policor në Gjilan, në bashkëpunim me zyrtaren e Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Amire Hoxha, kanë zhvilluar një sërë ligjëratash me temën “Siguria në Internet”.
Këto aktivitete synojnë rritjen e vetëdijes tek fëmijët dhe të rinjtë për rreziqet që vijnë nga përdorimi i pasigurt i internetit, duke vënë theks të veçantë në mbrojtjen nga abuzimet online, përfshirë edhe bullizimin digjital.
Gjatë ligjëratave, nxënësit janë informuar edhe për mënyrat konkrete të mbrojtjes si dhe procedurat e raportimit në rast të keqpërdorimeve tek organet kompetente.
Ligjëratat janë mbajtur në disa shkolla të komunës së Gjilanit, ku pjesëmarrës kanë qenë nxënësit e klasave VI–IX.
Aktivitetet janë zhvilluar në mënyrë interaktive, duke nxitur diskutime të hapura dhe pjesëmarrje aktive nga nxënësit.
Ata kanë përfituar këshilla praktike nga zyrtarët e pranishëm, ndërsa janë shpërndarë edhe fletushka informuese me udhëzime për sigurinë në internet.
