Banorët e fshatit Llashticë të Gjilanit kanë nisur një tjetër aksion vullnetar në shërbim të komunitetit. Këtë herë, iniciativa ka të bëjë me rrethimin e varrezave mbi fshat, një projekt që përfshin lagjet e kësaj zone, por ku janë të mirëseardhur të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë.
Njëri nga organizatorët e këtij aksioni, Zija Ramadani, ka bërë të ditur se hapat e parë tashmë janë ndërmarrë dhe se mbledhja e mjeteve financiare po vijon me sukses. Sipas tij, përpjekja mbështetet nga kontributet e banorëve dhe bashkatdhetarëve, ndërsa e gjithë e ecuria e projektit po zhvillohet me transparencë të plotë.
Shuma e grumbulluar deri më tani ka arritur në afër 1.000 euro, ndërsa kostoja përfundimtare e rrethimit do të përcaktohet në bazë të mjeteve që do të mblidhen në ditët në vijim.
Organizatorët njoftojnë se aksioni vullnetar vazhdon dhe ftojnë të gjithë të interesuarit të bëhen pjesë e kësaj nisme komunitare.
