Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit po vlerësohet si një nga drejtoritë më aktive të qeverisjes komunale, me një angazhim të shtuar në zbatimin e ligjit dhe trajtimin e kërkesave të qytetarëve.
Drejtori i kësaj drejtorie, Isa Agushi, thotë se që nga marrja e mandatit është punuar vazhdimisht në përputhje me kompetencat ligjore, me synimin për të garantuar rend dhe respektim të ligjit në të gjitha fushat që mbulon inspekcioni.
“Prej marrjes së mandatit të Drejtorisë së Inspekcionit kemi vazhduar punën tonë dhe angazhimin në përputhje me kompetencat që na takojnë me ligj. Falënderoj në veçanti kryetarin Alban Hyseni për përkrahjen dhe mbështetjen që na ka dhënë”, ka deklaruar Agushi.
Ai ka theksuar se drejtoria përballet çdo ditë me një numër të madh kërkesash dhe ankesash nga qytetarët, duke i ftuar ata të bashkëpunojnë edhe më shumë me inspektorët dhe të respektojnë ligjin.
“Ne kemi shumë punë, shumë kërkesa dhe ankesa nga qytetarët tanë. U bëj apel që të bashkëpunojnë me ne dhe të sillen konform ligjeve, në mënyrë që të na lehtësojnë punën dhe të mos bien ndesh me ligjin. Ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit”, është shprehur ai.
Agushi ka kërkuar gjithashtu që qytetarët të mos uzurpojnë pronat publike, sidomos trotuaret, në mënyrë që të mundësohet lëvizja e lirë e këmbësorëve. Sipas tij, bashkëpunimi me qytetarët deri më tani ka qenë në një nivel të kënaqshëm dhe drejtoria do të vazhdojë punën me përgjegjësi të lartë, duke zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Gjatë periudhës që Isa Agushi drejton këtë dikaster, Drejtoria e Inspekcionit ka shqiptuar 115 gjoba ndëshkuese, të gjitha të bazuara në ligj, një shifër që, sipas të dhënave, i afrohet numrit të gjobave të shqiptuara gjatë një mandati të tërë katërvjeçar në të kaluarën.
Po ashtu, drejtori Agushi vlerësohet pozitivisht nga stafi i drejtorisë dhe nga qytetarët për angazhimin e tij të vazhdueshëm në terren. Ai është i pranishëm në aksionet e inspektorëve dhe, sipas bashkëpunëtorëve, mbetet në dispozicion të institucionit gjatë gjithë kohës, pa u kufizuar nga orari zyrtar i punës.
