Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim apelon për kujdes, vazhdon fushatën kundër zjarreve
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka vazhduar fushatën sensibilizuese për parandalimin e zjarreve, duke zhvilluar aktivitete informuese në terren gjatë sezonit veror.
Në kuadër të kësaj fushate, zyrtarët e drejtorisë kanë shpërndarë fletëpalosje dhe postera me mesazhe ndërgjegjësuese për parandalimin e zjarreve fushore dhe malore, me synim rritjen e vetëdijes së qytetarëve për rreziqet që ato paraqesin.
Sipas Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, qëllimi i aktivitetit është të nxisë sjellje të përgjegjshme për mbrojtjen e pyjeve, tokave bujqësore dhe mjedisit.
Gjatë takimeve me qytetarët janë dhënë këshilla për shmangien e veprimeve që mund të shkaktojnë zjarr, si dhe është bërë thirrje që çdo rast i dyshuar të raportohet menjëherë te institucionet kompetente.
Drejtoria u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve me temperatura të larta të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të respektojnë masat për mbrojtjen e mjedisit.
“Bashkë mund të parandalojmë zjarret dhe të mbrojmë komunitetin tonë”, është mesazhi i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
