Me sport u kujtua Agim Ramadani, “Kenan Halimi” fiton finalen e “Ditëve të Agimit”

Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore “Ditët e Agimit”, sonte është zhvilluar një finale e fortë dhe plot emocione, ku u përballën ekipet PS-Center dhe Kenan Halimi.

Pas një ndeshjeje të luftuar dhe me ritëm të lartë, ekipi “Kenan Halimi” arriti të triumfojë me rezultat 3:1, duke u shpallur kampion dhe duke fituar kupën e këtij turneu.

Ekipi nga fshati Gjylekar u dallua me lojë të organizuar dhe efikasitet, duke merituar plotësisht fitoren.

Ndërkohë, PS-Center pati një paraqitje dinjitoze dhe u rendit në vendin e dytë.

Ky turne solli garë të ndershme dhe përkushtim nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse, duke reflektuar frymën sportive dhe respektin e ndërsjellë.

Atmosfera u bë edhe më e veçantë falë pranisë së madhe të publikut, i cili krijoi një ambient festiv dhe mbështetje të vazhdueshme për ekipet.

Një moment simbolik i mbrëmjes ishte ndezja e flakadanëve nga nxënësit e shkollës “Agim Ramadani” në Zhegër, në përkujtim të dëshmorëve.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vlerësoi organizimin dhe rëndësinë e këtij eventi, duke theksuar se përmes sportit po nderohet figura e heroit Agim Ramadani.

“Nën dritën e ‘Flakadanit të Lirisë’ dhe në kujtim të heroit tonë Agim Ramadani, sonte përjetuam një finale të jashtëzakonshme. Ekipi ‘Kenan Halimi’ tregoi lojë të shkëlqyer dhe u shpall kampion duke mposhtur PS Center me rezultatin 3:1. Urime fituesve dhe përgëzime organizatorëve për këtë organizim”, ka deklaruar Hyseni.

Në fund, u shpreh mirënjohje për këshillin organizativ dhe për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij eventi, duke dëshmuar edhe një herë se sporti bashkon dhe forcon komunitetin.

Shpërndaj me të tjerët