Mimoza Kadriu viziton stafin e QMF-së në lagjen “Dardania”

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Mimoza Kadriu, ka realizuar sot një vizitë pune në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Dardania”.

Në këtë vizitë, ajo ishte e shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së, Dr. Basri Kamberi, me ç’rast u takuan me mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës të kësaj qendre.

Gjatë takimit, drejtoresha Kadriu i falënderoi punonjësit shëndetësorë për përkushtimin dhe punën e palodhshme që bëjnë çdo ditë në shërbim të qytetarëve.

Diskutimi u fokusua në sfidat dhe nevojat me të cilat përballet stafi, si dhe në përparimet e arritura pas rinovimeve që janë realizuar në këtë objekt gjatë vitit të kaluar.

Kadriu theksoi se përmirësimi i kushteve të punës ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve.

Në mbyllje të vizitës, u rikonfirmua mbështetja e plotë e Drejtorisë së Shëndetësisë për stafin mjekësor, me synimin e vetëm që qytetarët e Gjilanit të pranojnë kujdesin shëndetësor cilësor që meritojnë.

 

Shpërndaj me të tjerët