Ndahet nga jeta Sadete Ajeti, aktivistja e palodhur e Shoqatës së të Verbërve në Gjilan

Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve në Gjilan ka njoftuar me dhimbje për ndarjen nga jeta të aktivistes së saj të devotshme, Sadete Ajeti.

Ajo ishte një figurë kyçe në avokimin për të drejtat e personave me nevoja të veçanta në rajonin tonë.

Sadete Ajeti shërbeu si Koordinatore e Forumit të Gruas në kuadër të shoqatës nga 13 janari i vitit 2010 deri më 4 mars 2018.

Gjatë kësaj periudhe, ajo u dallua për një angazhim të lartë dhe nder të veçantë, duke udhëhequr aktivitete të shumta që synonin fuqizimin e grave dhe vajzave brenda këtij komuniteti.

Këshilli Drejtues dhe Kryetari i Shoqatës, në emër të të gjithë anëtarëve, i kanë shprehur ngushëllimet më të thella familjes Ajeti për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

“Pusho e qetë Sadete, kontributi yt për komunitetin do të mbetet i paharruar. Zoti të shpërbleftë me xhenet,” thuhet në mesazhin e shoqatës.

Trashëgimia e saj si aktiviste e palodhur do të shërbejë si shembull i përkushtimit për përmirësimin e jetës së personave me dëmtime në shikim në komunën e Gjilanit dhe më gjerë.

 

Shpërndaj me të tjerët