Arbër Ismajli: Emërimi në Kryesinë e LDK-së, nder dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve

Ish-nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka reaguar zyrtarisht pas zgjedhjes së tij si anëtar i Kryesisë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Përmes një komunikimi për publikun, Ismajli e ka cilësuar këtë detyrë si një angazhim që e merr me nder dhe përgjegjësi të lartë.

Ismajli ka falënderuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për besimin e dhënë, duke theksuar se ky emërim përfaqëson një përkushtim për punë të përditshme në shërbim të vendit.

“Ky besim është përgjegjësi e madhe për punë të përditshme, përkushtim dhe rezultate për vendin tonë. Sot më shumë se kurrë na duhet unitet i përbashkët. Na duhet të jemi bashkë, të fortë dhe të vendosur, për ta rikthyer besimin e njerëzve dhe për ta vendosur LDK-në aty ku e meriton,” është shprehur Ismajli.

Ai më tej ka shtuar se do të mbetet i angazhuar pranë qytetarëve, duke premtuar punë të ndershme për jetësimin e projekteve që i duhen Republikës.

Përfshirja e Arbër Ismajlit në strukturat më të larta drejtuese të LDK-së shihet si një fuqizim i degës së Gjilanit në nivel qendror, duke marrë parasysh përvojën e tij të gjatë në menaxhimin e pushtetit lokal dhe strukturave partiake.

 

 

Shpërndaj me të tjerët