Ka ndërruar jetë poeti dhe studiuesi letrar Sherafedin Kadriu nga Gjilani, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në fushën e letërsisë dhe studimeve kulturore.
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët, të cilët përmes një njoftimi kanë shprehur dhimbjen për humbjen e të dashurit të tyre, ndërsa kanë bërë të ditur se për kohën e varrimit do të njoftojnë me kohë.
I ndjeri njihej si një “njeri i pendës”, i përkushtuar ndaj krijimtarisë letrare dhe studimeve shkencore.
Ai ka shkruar poezi, prozë dhe studime nga fusha e arkeologjisë dhe trashëgimisë shpirtërore, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e kulturës shqiptare.
Përveç krijimtarisë së tij personale, Sherafedin Kadriu u dallua edhe për angazhimin në analizën dhe kritikën letrare, si dhe në promovimin e veprave të autorëve të tjerë.
Gjatë jetës së tij profesionale, ai ka punuar për shumë vite si mësimdhënës i gjuhës shqipe, duke ndikuar në edukimin e brezave të rinj.
Së fundi, ai ishte i angazhuar në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan.
Vdekja e tij përbën një humbje të madhe për komunitetin letrar dhe kulturor në Gjilan dhe më gjerë.

