Vullneti që ringjall shkollën, ish-banorët e Seferit bashkohen për renovimin e objektit të shkatërruar

 Edhe pse rrugët e jetës i kanë larguar nga vendlindja, banorët e fshatit Sefer të Karadakut të Gjilanit nuk e kanë harruar shkollën ku morën hapat e parë të dijes.

Përmes një aksioni vullnetar dhe me mjete vetjake, ata kanë nisur një iniciativë fisnike për renovimin e objektit shkollor, i cili për dekada mbeti në mëshirë të kohës dhe i dëmtuar rëndë që nga lufta e fundit në Kosovë.

Objekti i shkollës në Sefer kishte pësuar dëmtime të mëdha dhe demolim total nga forcat serbe gjatë viteve 1998-1999, duke e lënë atë pothuajse të papërdorshëm.

Megjithatë, për ish-banorët, ky objekt mbetet një simbol i rezistencës dhe identitetit, ndaj edhe vendosën të veprojnë.

Aksioni ka nisur me punë të rënda fizike. Vullnetarët kanë hapur kanale në një gjatësi prej 400 metrash për të sjellë ujin nga burimi direkt në shkollë.

Paralelisht me këtë, është punuar në rregullimin e oborrit, duke e mbushur me zhavorr, rrafshuar dhe ngjeshur atë për të krijuar një ambient më të qasshëm.

Një tjetër ndërhyrje jetike ka qenë edhe ndërrimi i tërësishëm i kulmit, për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të mureve nga depërtimi i ujërave.

Sali Nuhiu, një nga ish-banorët që po kontribuon në këtë projekt, shprehet se gjendja e objektit ishte e mjerueshme, por vullneti për ta rregulluar është i madh.

“Ka qenë totalisht e shkatërruar. Kemi bërë shumë punë, por na kanë ngelur akoma edhe shumë për të përfunduar,” tregon ai, duke bërë thirrje që ky angazhim të vazhdojë deri në funksionalizimin e plotë të hapësirave.

Ky projekt vullnetar është një tjetër dëshmi e fuqisë së komunitetit dhe dashurisë për rrënjët.

Banorët e Seferit po dëshmojnë se me bashkëpunim mund të ringrihen simbolet e shkatërruara, duke ruajtur kështu trashëgiminë për gjeneratat që vijnë, pavarësisht faktit se shumë prej tyre sot jetojnë larg këtij fshati malor.

 

Shpërndaj me të tjerët