Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për javën 19–23 tetor 2026.
Gjatë kësaj periudhe do të mbajë mot i ndryshueshëm, me intervale me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa temperaturat do të mbeten relativisht të buta për këtë periudhë të vitit.
Java starton me mot me diell dhe vranësira të lehta. Ditën e hënë temperaturat minimale do të jenë mjaft të ftohta, duke lëvizur nga 1°C deri në 4°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 19°C.
Të martën dhe të mërkurën do të ketë ngritje të lehtë të temperaturave, me maksimalet që do të kapin vlerat nga 16°C deri në 21°C.
Kthesa e motit pritet nga gjysma e dytë e javës. Të enjten dhe të premten parashihet shtim i vranësirave të cilat në disa zona të vendit do të sjellin reshje shiu.
Ditën e premte do të ketë edhe një rënie të lehtë të temperaturave maksimale, të cilat do të lëvizin mes 14°C dhe 17°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi dhe jugperëndimi me shpejtësi të ulët deri mesatare.
Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme, me orët e mëngjesit që kërkojnë veshje më të ngrohta.
Reshjet e pritshme të shiut do të jenë mirëseardhëse për tokën dhe punët sezonale bujqësore.
