Anëtari i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kandidati për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka reaguar përmes një qëndrimi publik ndaj asaj që ai e quan “degradim të jetës publike”.
Ismajli ka dënuar gjuhën linçuese ndaj figurave historike dhe familjeve emblematike të lirisë, ndërsa nuk ka kursyer kritikat as për qeverisjen aktuale lokale në Gjilan, duke përmendur dështimet në infrastrukturë dhe mungesën e vizionit institucional.
Postimi i plotë i Arbër Ismajlit:
“Të dashur qytetarë, Koha në të cilën po kalojmë kërkon qartësi, përgjegjësi dhe një komunikim të ndershëm me publikun. Në një realitet ku zhurma shpesh mbulon arsyen, e ndjej të domosdoshme të ndaj disa qëndrime të mia lidhur me zhvillimet dhe klimën që po mbizotëron në jetën tonë publike.
Nganjëherë, ndoshta heshtja është një zgjedhje e vetëdijshme për të mos u bërë pjesë e një klime që, fatkeqësisht, po degradon çdo ditë. Jeta publike sot është rënduar nga një gjuhë poshtëruese, linçuese dhe thellësisht përçarëse, e cila përdoret shpesh vetëm pse dikush nuk i përket një krahu të caktuar politik.
Në këtë klimë, po dëshmojmë me shqetësim të thellë edhe përdhosjen e figurave dhe familjeve që janë themel i lirisë dhe shtetndërtimit tonë. Po sulmohen padrejtësisht familja Jashari, familja Haradinaj, familja Thaçi dhe shumë figura të tjera, të cilat kanë dhënë një jetë të tërë për krijimin e Republikës sonë. Madje, në mënyrë edhe më të rëndë, po cenohet dinjiteti i dëshmorëve dhe martirëve tanë, duke mos u kursyer as respekti ndaj tyre në përjetësi.
In vend të debatit të mirëfilltë dhe racional, kemi stigmatizim dhe etiketim. Kjo ka prodhuar pasoja serioze në besimin qytetar, në cilësinë e vendimmarrjes dhe në kohezionin tonë shoqëror.
Gjithashtu, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale kam paralajmëruar qartë për mungesë planifikimi dhe qasje joprofesionale në qeverisjen komunale, përfshirë mungesën e projekteve të mirëfillta zhvillimore, vendimmarrjen pa vizion afatgjatë dhe keqmenaxhimin e resurseve publike. Shembuj të tillë, si ndërhyrjet e paarsyeshme në infrastrukturë, përfshirë shtrimin dhe më pas dëmtimin apo heqjen e asfaltit pa strategji të qëndrueshme, si dhe moszgjidhja e problemeve bazike si qentë endacakë, janë dëshmi e qartë e mungesës së seriozitetit institucional. Lista e sfidave, problemeve dhe degradimit institucional e politik është e gjatë dhe ku nuk mund të sanohet me vite të tëra.
Si anëtar i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbetem i përkushtuar të jap kontributin tim njerëzor, profesional dhe politik me integritet dhe përgjegjësi. Besoj fuqishëm se politika duhet të mbetet hapësirë e dialogut, e jo e përçarjes dhe e gjuhës së urrejtjes.
Nuk do të jem asnjëherë, kurrë e për asnjë çmim, pjesë e kësaj klime denigruese. Përkundrazi, e konsideroj detyrim të punoj për rikthimin e standardit, etikës dhe dinjitetit në komunikimin publik.
Zoti na ndihmoftë të dalim faqebardhë nga kjo katrahurë politike dhe krizë shoqërore.”

