Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Fadil Ademi, ka qëndruar pranë punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Tregu”, për të parë nga afër punën e tyre dhe sfidat që hasin gjatë mirëmbajtjes së qytetit.
Gjatë vizitës në varrezat e qytetit, ku ekipet po punonin në kushte të vështira, Ademi vlerësoi lart përkushtimin e tyre.
“Në heshtje dhe pa shumë fjalë, ata kujdesen që qyteti ynë të ketë dinjitet. Meritojnë respekt të vërtetë dhe kushte më të mira pune”, theksoi ai, duke bërë thirrje për vlerësim të përditshëm institucional ndaj kësaj kategorie.
Nga ana tjetër, zyrtarë të NPL “Tregu” kanë bërë të ditur se muaji maj i ka gjetur me aktivitet të shtuar në shumë lokacione.
Aktualisht, ekipet janë duke zhvilluar një aksion të intensifikuar për pastrimin dhe kositjen e hapësirave në varrezat e qytetit, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të rregullt.
Sipas ndërmarrjes, këto punime do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim sipas planit operacional të Departamentit të Hapësirave Publike.

