Profesoresha Lindita Nebiu Hyseni letër publike kryeministrit Kurti: Sigurimi shëndetësor dhe mbështetja për personat me aftësi të kufizuara duhet të jenë prioritet
Profesoresha Lindita Nebiu Hyseni, e cila aktualisht punon në Gjermani dhe më parë ka qenë profesoreshë dhe dekane në Universiteti Publik ‘Kadri Zeka’ në Gjilan, i është drejtuar me një letër publike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar që sigurimi shëndetësor dhe krijimi i një sistemi të qëndrueshëm për personat me aftësi të kufizuara të vendosen ndër prioritetet kryesore të shtetit.
Në letrën e saj, ajo thekson se si shtetase e Kosovës dhe me përvojë jetese në vend deri në vitin 2025, ndjen obligim qytetar të ngrejë këtë çështje që, sipas saj, është thelbësore për mirëqenien e qytetarëve.
Ajo sjell edhe një përvojë personale të dhimbshme, duke theksuar se ajo dhe bashkëshorti i saj, dy profesionistë me përvojë në fushën e Shkencave Kompjuterike dhe Edukimit Fizik dhe Sportit, janë detyruar të largohen nga Kosova për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale për djalin e tyre autik.
Sipas profesoreshës, sfidat për fëmijët me autizëm nuk përfundojnë në moshë të hershme, por shpesh bëhen edhe më të mëdha me kalimin e viteve.
“Me rritjen e tyre shtohen edhe nevojat për terapi, edukim të specializuar, integrim social dhe përkrahje afatgjatë për jetesë të pavarur dhe dinjitoze. Pa një sistem të qëndrueshëm shtetëror, familjet mbeten të vetme përballë këtyre sfidave”, thekson ajo.
Ajo shton se për shkak të mungesës së një sistemi të tillë, shumë familje dhe profesionistë të kualifikuar detyrohen të largohen nga vendi në kërkim të një mbështetjeje më të mirë për fëmijët e tyre.
“Kjo nuk është vetëm një humbje për familjet, por edhe një humbje për Kosovën”, shprehet ajo.
Në fund të letrës së saj, profesoresha thekson se ndërtimi i një sistemi të mirëfilltë të sigurimit shëndetësor dhe mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara do të ndikonte drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, në dinjitetin e familjeve dhe në ndalimin e largimit të profesionistëve nga vendi.

