Tre fitore radhazi rikthejnë Gjilanin në garë për Evropë
Tri fitore, një barazim dhe një humbje është bilanci i Gjilanit në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Debatik Curri po kalon një formë shumë të mirë, duke regjistruar tri fitore radhazi në kampionat.
Gjilani ka mposhtur Prishtinën me rezultat 1:0, ndërsa ka triumfuar ndaj Malishevës dhe Ferizajt me rezultat të njëjtë 2:1.
Po ashtu ka barazuar në Klinë 1:1 kundër Dukagjinit, ndërsa humbjen e vetme e ka pësuar në Gjilan nga Ballkani me rezultat 2:1.
Nga 15 pikë të mundshme në pesë ndeshje, Gjilani ka arritur të grumbullojë 10 pikë, që përbën rreth 66.7% të pikëve të mundshme.
Në këto takime, skuadra gjilanase ka shënuar 7 gola dhe ka pranuar 5, që i bie mesatarisht 1 gol i pranuar për ndeshje, ndërsa në sulm ka një mesatare prej 1.4 golash të shënuar për ndeshje.
Falë kësaj serie pozitive, Gjilani është ngritur në pozitën e pestë në tabelë me 36 pikë.
Skuadra ka gjashtë pikë më pak se lideri Drita, tri më pak se Ballkani në vendin e dytë dhe vetëm një pikë më pak se Prishtina dhe Malisheva që renditen në vendin e tretë dhe të katërt.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, Gjilani mund ta bëjë edhe më interesante garën për titull dhe për një vend që dërgon në garat evropiane.
Trajneri i skuadrës, Debatik Curri, ka theksuar se objektivi i ekipit mbetet dalja në Evropë.
“Çdo ndeshje është e vështirë. Duhet angazhim maksimal, përqendrim deri në fund të lojës dhe sa më pak gabime në çdo sfidë”, ka deklaruar Curri.
Forma e fundit e skuadrës ka rritur edhe optimizmin te tifozët, të cilët besojnë se Gjilani mund të vazhdojë serinë pozitive dhe të mbetet një rival serioz në luftën për kreun e tabelës deri në fund të sezonit.

