Me përvojë dhe vizion, Bajram Isufi vazhdon në krye të Drejtorisë së Bujqësisë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i ka dhënë sërish besimin Bajram Isufit për të udhëhequr edhe një mandat Drejtorinë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Gjilanit.

Isufi do të vazhdojë në këtë pozitë edhe në mandatin e ri, pasi të njëjtin funksion e ka ushtruar edhe gjatë periudhës 2021–2025.

Formimi dhe jeta personale

Bajram Isufi ka lindur më 26 janar 1966 në Zhegër të Gjilanit. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa dy vitet e para të shkollës së mesme i ndoqi po ashtu në Zhegër, për të vazhduar më pas dy vitet e tjera në Gjilan në drejtimin e teknologjisë kimike.

Ai ka përgatitje të lartë akademike, pasi ka përfunduar studimet në fushën e Inxhinierisë së Teknologjisë Kimike në Universitetin e Mitrovicës, ndërsa ka përfunduar edhe studimet master në Menaxhment të Përgjithshëm Ndërkombëtar në Kolegjin e Menaxhmentit Ndërkombëtar “Globus”.

Përvoja profesionale

Gjatë karrierës së tij profesionale, Isufi ka mbajtur një sërë pozitash të rëndësishme drejtuese në sektorin publik dhe privat.

Ai ka shërbyer si drejtor në NTP “Dritakos”, ndërsa ka qenë edhe kryeshef ekzekutiv në KRM “Higjiena” dhe KRM “Ekohigjiena”.

Po ashtu, ka pasur angazhime menaxheriale në NTSH “Leo Wash & Go” dhe në NSH “Consulting For Development”, ku është marrë me këshillim biznesor dhe menaxhim të projekteve.

Përvoja e tij përfshin fusha të ndryshme si menaxhimi i mbeturinave, trajtimi i ujërave, mbrojtja e mjedisit, hortikultura, zhvillimi biznesor dhe menaxhimi institucional.

Angazhimet shoqërore dhe sportive

Përveç karrierës profesionale, Isufi ka qenë aktiv edhe në jetën shoqërore dhe sportive. Ai ka shërbyer si nënkryetar i Shoqatës “Pamkos”, kryetar i Klubit të Hendbollit “Zhegra”, si dhe anëtar i Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Veçanërisht në Klubin e Hendbollit “Zhegra”, ai ka qenë i angazhuar për rreth 14 vite, ku ka dhënë kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe zhvillimin e klubit, duke mbështetur aktivitetet sportive dhe promovimin e hendbollit në komunitet.

Përmes këtij angazhimi shumëvjeçar, Isufi ka ndihmuar në fuqizimin e sportit lokal dhe në përfshirjen e të rinjve në aktivitete sportive.

Angazhimi politik dhe publik

Në kuadër të angazhimit të tij publik dhe politik, Bajram Isufi ka fituar dy herë mandatin e këshilltarit komunal në Gjilan, në zgjedhjet lokale të vitit 2021 dhe në ato të vitit 2025.

Këto mandate i ka fituar falë mbështetjes së gjerë të qytetarëve dhe autoritetit që gëzon në opinionin publik, si rezultat i përvojës së tij profesionale, angazhimit në jetën shoqërore dhe kontributit të vazhdueshëm në komunitet.

Besimi i marrë nga votuesit konsiderohet edhe si vlerësim për punën dhe përkushtimin e tij në shërbim të interesit publik, duke reflektuar një reputacion të ndërtuar ndër vite për seriozitet, përgjegjësi dhe afërsi me qytetarët.

Trajnime dhe zhvillim profesional

Gjatë karrierës së tij, ai ka ndjekur edhe një numër të madh trajnimesh dhe programesh profesionale të organizuara nga institucione dhe organizata vendore e ndërkombëtare, si GIZ, USAID, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Austrian Chamber of Commerce WIFI.

Këto trajnime kanë përfshirë fusha si menaxhimi i cilësisë, menaxhimi i konflikteve, menaxhimi i burimeve njerëzore, marketingu internacional dhe menaxhimi i projekteve.

Profil i njohur për përkushtim dhe angazhim shoqëror

Bajram Isufi njihet për qëndrimet e tij parimore dhe profesionale, si dhe për aftësitë e tij të theksuara organizative në menaxhimin e institucioneve dhe projekteve.

Ai vlerësohet si një drejtues i qetë, i afërt dhe komunikues me bashkëpunëtorët dhe qytetarët.

Po ashtu, ai njihet edhe për humanizmin dhe vullnetarizmin e tij shumëvjeçar, duke qenë i angazhuar në mënyrë aktive në klube sportive dhe shoqata të ndryshme, ku ka kontribuar në zhvillimin e aktiviteteve shoqërore, sportive dhe komunitare.

Ata që e njohin nga afër e përshkruajnë si një njeri të dashur dhe korrekt në punë, me qasje bashkëpunuese dhe përkushtim institucional, duke synuar gjithmonë zhvillimin e sektorëve që drejton dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Shpërndaj me të tjerët