Universiteti Publik “Kadri Zeka” shënoi 13-vjetorin e themelimit

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka festuar sot 13-vjetorin e themelimit të tij me një ceremoni solemne, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme nga jeta akademike, institucionale dhe politike, familjarë të themeluesve të UKZ-së, anëtarë të Këshillit Drejtues si dhe studentë, profesorë dhe përfaqësues të institucioneve publike.

Ceremonia filloi me intonimin e himnit Kombëtar, himnit të Kosovës dhe Himnit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku,  foli për punën, arritjet dhe sfidat që Universiteti ka kaluar gjatë 13 viteve të tij.

“Ky përvjetor përfaqëson shumë më tepër sesa një shifër në kalendar. Ai pasqyron një rrugëtim të përbashkët, vizion dhe punë të palodhshme për ndërtimin dhe zhvillimin e një institucioni të arsimit të lartë që sot është pjesë e rëndësishme e jetës akademike dhe shoqërore në vendin tonë,” tha Rektori Dërmaku.

Ai theksoi zhvillimin e Universitetit gjatë këtyre viteve duke thënë se vetëm para 13 vitesh, universiteti ynë kishte tre programe studimi.

Sot ofron 14 programe të akredituara, ndërsa 5 të tjera janë në proces akreditimi dhe riakreditimi, me 1354 studentë aktivë që përfaqësojnë potencialin më të madh për zhvillimin shoqëror dhe akademik të rajonit.

Rektori gjithashtu përmendi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe projekteve kërkimore.

“Sot UKZ ka mbi 200 marrëveshje bashkëpunimi me partnerë vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë dhe është përfshirë në më shumë se 70 projekte ndërkombëtare me vlerë mbi 2 milionë euro, duke kontribuar në zhvillimin institucional dhe ngritjen e kapaciteteve akademike,” kathë në fjalën e tij Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.

Duke iu drejtuar studentëve dhe stafit akademik, ai tha se do të vazhdojmë së bashku të ndërtojmë një universitet që prodhon dije, që krijon mundësi dhe që formon gjenerata të reja profesionistësh të përgatitur për sfidat e së ardhmes.

Fjalimi i Rektorit përfundoi me mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë rrugëtim: profesorët, stafin administrativ, studentët dhe partnerët institucionalë.

 

Shpërndaj me të tjerët