SHËNDETËSI / Intervenim i suksesshëm nga mjeku gjilanas, Dr. Besnik Elezi i shpëton jetën 11-vjeçarit nga Gjakova

Specialisti i mirënjohur gjilanas i gastroenterologjisë dhe hepatologjisë, Dr. Besnik Elezi, ka realizuar me sukses një ndërhyrje delikate, duke i shpëtuar jetën një 11-vjeçari nga Gjakova.

Ky rast, që mbajti në ankth familjen për një javë rresht, u zgjidh falë përvojës së mjekut gjilanas në nxjerrjen e trupave të huaj nga organizmi.

Sipas Dr. Elezit, fëmija kishte plot një javë që vuante nga të vjella të vazhdueshme pas çdo ushqimi që konsumonte.

Pas ekzaminimit dhe ndërhyrjes, u zbulua se shkaktari ishte një kokërr ulliri, e cila kishte bllokuar tërësisht ezofagun.

Çka është ezofagu?

Ezofagu është ai që në gjuhën popullore njihet si “gypi i ushqimit”. Ky është një kanal muskulor që shërben si rrugë lidhëse mes fytit dhe stomakut.

Bllokimi i tij nga sendet apo ushqimet e forta (si në këtë rast kokrra e ullirit) është tejet i rrezikshëm, pasi pamundëson ushqyerjen dhe mund të shkaktojë irritime apo lëndime të rënda të traktit tretës.

Dr. Elezi u shpreh se rastet kur fëmijët gëlltisin objekte gjatë lojës janë të shpeshta, por ky rast ishte specifik për shkak të kohës së gjatë që trupi i huaj kishte qëndruar në organizëm.

“Nga ezofagu iu largua një kokërr ulliri, e cila kishte bllokuar ezofagun. Fëmija prej një jave kishte të vjella pas çdo ushqimi”, ka deklaruar Dr. Elezi, duke konfirmuar se pas largimit të pengesës, pacienti i vogël është jashtë rrezikut.

Ky intervenim dëshmon edhe njëherë profesionalizmin e mjekëve gjilanas, ndërsa shërben si një thirrje për prindërit që të shtojnë kujdesin ndaj fëmijëve gjatë ngrënies dhe lojës.

 

Shpërndaj me të tjerët