ARSIM/ Mbahet Olimpiada Komunale e Matematikës edhe në Kamenicë

Në një frymë të lartë akademike dhe garuese, në Komunën e Kamenicës është mbajtur suksesshëm Olimpiada Komunale e Matematikës.

Ky aktivitet, i cili ka për qëllim identifikimin dhe promovimin e talenteve të rinj, u organizua nga Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit (OMGj) në bashkëpunim me përfaqësuesin për Kamenicën, prof. Agim Maliqi.

Në këtë garë morën pjesë nxënësit e klasave të pesta (V) dhe të gjashta (VI), të cilët sfiduan njohuritë e tyre në lëndën e matematikës, duke treguar një nivel të lartë përgatitjeje dhe logjike.

Kalendari i publikimit të rezultateve Organizatorët kanë njoftuar se procesi i vlerësimit do të jetë transparent dhe i shpejtë.

Sipas agjendës së paraparë: më 19 maj (e martë, do të publikohen rezultatet preliminare, ku nxënësit do të kenë edhe afatin për paraqitjen e ankesave eventuale, kurse më 20 maj (e mërkurë, do të bëhen publike rezultatet përfundimtare.

Rrugëtimi drejt “Kupës së Anamoravës” Për fituesit e kësaj olimpiade, gara nuk përfundon këtu. Nxënësit që do të arrijnë rezultatet më të larta do të kenë nderin të përfaqësojnë Komunën e Kamenicës në garën prestigjioze rajonale të njohur si “Kupa e Anamoravës”, e cila do të organizohet më 6 qershor.

Stafi organizativ dhe koordinatori i OMGj-së shprehën mirënjohje të veçantë për të gjithë akterët e përfshirë në këtë projekt.

“Falënderojmë nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtoritë e shkollave për përkushtimin e treguar. Matematika ndërton mendje, ndërsa garat si kjo formojnë kampionët tanë të ardhshëm,” u tha në përmbyllje të aktivitetit.

Ky organizim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në rritjen e cilësisë së arsimit dhe në inkurajimin e nxënësve për t’u marrë me shkencat ekzakte.

 

Shpërndaj me të tjerët