Në kuadër të aktiviteteve për ndërgjegjësimin e popullatës dhe parandalimin e sëmundjeve, Karvani Shëndetësor ka ndaluar sot në qendër të Gjilanit. Ky aktivitet ka zgjuar një interesim të madh të qytetarëve, të cilët shfrytëzuan mundësinë për të kryer kontrolle bazë shëndetësore dhe për të marrë këshilla drejtpërdrejt nga profesionistët.
Gjatë këtij organizimi, qytetarët e shumtë patën mundësinë të informohen më hollësisht mbi rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve jo-ngjitëse, si dhe morën udhëzime profesionale për kujdesin ndaj shëndetit.
Në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kontribut të çmuar dha ekipi i përkushtuar i profesionistëve shëndetësorë nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan, të cilët iu përgjigjën interesimit dhe pyetjeve të shumta të pjesëmarrësve.
Organizatorët falënderuan gjilanasit për mikpritjen dhe pjesëmarrjen aktive, duke theksuar se ndërgjegjësimi i tillë i motivon për ta sjellë edukimin shëndetësor sa më pranë çdo qytetari.
Ky aktivitet i rëndësishëm u realizua në kuadër të projektit “Kujdesi shëndetësor i qasshëm dhe cilësor – AQH Project”, i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe implementohet nga Swiss TPH & KOPF.
