SIGURI / PËRKUJTIM ​Policia e Kosovës shënon Ditën Memoriale të Zyrtarëve Policorë të Rënë në Detyrë

Policia e Kosovës ka shënuar sot Ditën Memoriale të Zyrtarëve Policorë të Rënë në Detyrë përmes një sërë aktivitetesh përkujtimore, në nderim të policëve që sakrifikuan jetën në shërbim të rendit, ligjit, sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit.

​Aktivitetet nisën me homazhe shtetërore dhe vendosje kurorash me lule pranë Lapidarit të Zyrtarëve Policorë të Rënë në Krye të Detyrës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë. Në ceremoninë e homazheve morën pjesë udhëheqësit shtetërorë dhe krerët e Policisë së Kosovës.

​Në kuadër të përkujtimit, delegacioni institutional kreu homazhe edhe pranë varrit të Heroit të Kosovës, rreshterit Afrim Bunjaku, si dhe vendosi kurora lulesh pranë lapidarit në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri. Po ashtu, drejtuesit institucionalë zhvilluan vizita nderimi pranë familjeve të dy heronjve.

​Një moment i veçantë i kësaj dite me përmbajtje memoriale ishte zbulimi i shtatores së Heroit Enver Zymeri në Kampin e Njësive Speciale në Mitrovicë, si një simbol i përhershëm i guximit dhe sakrificës në mbrojtje të Republikës.

​Policia e Kosovës shprehu mirënjohjen e përjetshme për të gjithë zyrtarët e rënë në detyrë, duke theksuar se vepra dhe profesionalizmi i tyre mbeten themel i forcimit të shtetit të së drejtës.

Shpërndaj me të tjerët