Sot kanë përfunduar zyrtarisht punimet në rindërtimin e rrugës Breznicë–Muhoc, me një gjatësi prej 4.1 kilometrash, duke shënuar përfundimin e një projekti kapital me rëndësi të veçantë për banorët e Malësisë së Bujanocit.
Kjo rrugë konsiderohet një nga investimet më thelbësore për infrastrukturën lokale, pasi mundëson lidhjen e drejtpërdrejtë të fshatrave të Malësisë me qendrën e Komunës së Bujanocit.
Përveç se do të lehtësojë lëvizjen e përditshme të qytetarëve dhe qasjen në shërbimet institucionale, ky aks rrugor hap perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik të kësaj zone.
Investimi është mirëpritur nga komuniteti lokal si një hap historik për infrastrukturën e zonës, duke e kthyer këtë rrugë në një arterie kryesore zhvillimi.
Pavarësisht diskutimeve apo opinioneve të ndryshme rreth nevojshmërisë së projektit, përfundimi i punimeve konfirmon përkushtimin për përmirësimin e kushteve të jetesës në fshatrat e Malësisë, me paralajmërimin se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
