SPORT/ Kur mungojnë kushtet, flet vullneti, vajzat e KP Gjilani stërviten në kodër për ëndrrat e tyre

Kur nuk ka palestër moderne, terrene sportive apo mbështetje të mjaftueshme, mbetet vetëm një gjë që nuk mund ta ndalë askush, vullneti. Me këtë frymë, vajzat e Klubit të Pingpongut Gjilani kanë nisur përgatitjet fizike për sezonin e ri në Superligë.

Në mungesë të kushteve elementare për stërvitje, ato janë detyruar që ushtrimet bazike t’i zhvillojnë në Kodrën e Gllamës në Gjilan, një terren larg standardeve që kërkon sporti.

Lajmin e ka bërë të ditur trajneri i klubit, Naser Hasani, i cili ka publikuar fotografi nga stërvitjet, duke dëshmuar se dëshira për sukses është shumë më e madhe se pengesat që hasin çdo ditë.

Në ditët e para numri i sportisteve nuk ishte i madh, por shumë shpejt grupi pritet të arrijë në rreth 15 lojtarw, të gatshëm  të punojnë fort për të përfaqësuar denjësisht klubin dhe qytetin.

“Në sezonin e parë kemi qenë nënkampionë, ndërsa këtë vit do të marrim pjesë me 14 lojtarw në garat e të dyja konkurrencave, femra dhe meshkuj”, ka deklaruar Hasani.

Historia e këtij klubi është dëshmi se kampionët nuk lindin vetëm në palestra luksoze. Prej vitesh, Klubi i Pingpongut Gjilani stërvitet në një sallë të improvizuar në shtëpinë e trajnerit Naser Hasani.

Pikërisht nga ai ambient modest kanë dalë shumë kampionë të Kosovës. Kjo është një histori që tregon se suksesi nuk ndërtohet gjithmonë me kushte ideale. Ai lind nga sakrifica, përkushtimi dhe besimi se edhe nga një kodër e papërshtatshme mund të nisë rruga drejt podiumit të kampionëve.

 

 

Shpërndaj me të tjerët