ARSIM/ Talentja gjilanase e matematikës, Vesa Xhymshiti, kampione mbarëkombëtare

Nxënësja e talentuar nga Gjilani, Vesa Xhymshiti, po vazhdon të mahnitë me sukseset e saj në arenën e matematikës, duke u shndërruar në një nga emrat më premtues të brezit të ri shqiptar.

Me punë, disiplinë dhe talent të jashtëzakonshëm, ajo po ngjit një nga një shkallët e suksesit në garat më prestigjioze.

Në edicionin e shtatë të Olimpiadës Matematike Kosovë–Shqipëri (KAMO 2026), ku morën pjesë nxënësit më të mirë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe trevat e tjera shqiptare, Vesa u shpall kampione absolute.

Ajo fitoi medaljen e artë me 83 pikë, rezultati më i lartë i garës në konkurrencën e klasave VII dhe VIII, duke lënë pas të gjithë rivalët.

Ky triumf është vazhdimësi e një historie të jashtëzakonshme suksesi. Që në vitin 2024, edhe pse ishte ndër garueset më të reja dhe e ftuar speciale, Vesa konkurroi me nxënës më të mëdhenj në moshë dhe arriti të fitojë medaljen e artë, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit matematikor shqiptar.

Në vitin 2025 ajo mungoi në KAMO për një arsye po aq të veçantë. Në të njëjtën periudhë përfaqësoi Kosovën në një olimpiadë prestigjioze ndërkombëtare në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u kurorëzua sërish me medaljen e artë, duke ngritur lart flamurin e Kosovës.

Rikthimi në KAMO këtë vit ishte spektakolar. Me rezultatin dominues prej 83 pikësh, Vesa konfirmoi se është pjesë e elitës së matematikës shqiptare dhe një talent me potencial të jashtëzakonshëm për të përfaqësuar vendin edhe në garat më të mëdha ndërkombëtare.

Pas këtij suksesi fshihen orë të tëra pune, përkushtimi i saj i palëkundur, mbështetja e vazhdueshme e familjes dhe angazhimi profesional i mësimdhënësve që kanë besuar në talentin e saj.

Arritjet e Vesa Xhymshitit janë krenari për Gjilanin, për arsimin e Kosovës dhe për mbarë kombin shqiptar. Ajo është dëshmi se talenti, kur shoqërohet me punë dhe përkushtim, nuk njeh kufij.

Me sukseset e njëpasnjëshme, Vesa po ndërton një emër që premton të shkëlqejë edhe në arenën ndërkombëtare, duke frymëzuar brezat e rinj të ndjekin ëndrrat e tyre me vendosmëri.

 

 

Shpërndaj me të tjerët