UKZ nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, dhe Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është krijimi i një partneriteti të qëndrueshëm dhe strategjik ndërmjet universitetit dhe sektorit privat, duke orientuar zhvillimin e ideve, projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.

Përmes këtij memorandumi synohet avancimi i inovacionit, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe krijimi i mundësive konkrete për studentët dhe stafin akademik.

Bashkëpunimi ndërmjet palëve do të përfshijë, realizimin e projekteve të përbashkëta, mundësi për praktikë profesionale për studentët, organizimin e konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të ndryshme akademike, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe publikimeve të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e përvojave në menaxhimin institucional.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës do të kontribuojë në lidhjen e universitetit me sektorin privat dhe tregun e punës, ndërsa Universiteti Publik “Kadri Zeka” do të ofrojë kapacitetet e tij akademike dhe studentore për realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.

Me këtë rast, Skender Krasniqi, Kryetar i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, i ka ndarë Rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj këtij institucioni.

Gjatë vizitës në universitet, përfaqësuesit e Dhomës kanë vizituar edhe Laboratorin STEM dhe Laboratorin e Shkencave Sociale, duke u njohur nga afër me infrastrukturën dhe kapacitetet akademike që ofron UKZ për studentët dhe stafin.

Shpërndaj me të tjerët