Vërejtje mbi njoftimin e Komunës së Gjilanit për zyrën për të huaj

Nga Bashkim Isufi

Disa ditë më parë, Komuna e Gjilanit publikoi në faqen e saj zyrtare lajmin me titull: “Hapet Zyra për të Huaj në Gjilan”, ku ndër të tjera theksohej se qytetarët e Preshevës, Medvegjës, Bujanocit dhe të Maqedonisë së Veriut, me vendbanim në Anamoravë, mund të aplikojnë për leje qëndrimi në këtë zyrë. Megjithatë, mënyra e formulimit të këtij publikimi është problematike dhe potencialisht keqorientuese për publikun.

Sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës, e drejta për të aplikuar për leje qëndrimi u takon të gjithë shtetasve të huaj që qëndrojnë në territorin e vendit, pa dallim vendbanimi, përkatësie apo origjine.

Në këtë kontekst, theksimi selektiv i disa grupeve të caktuara në komunikimin zyrtar krijon perceptimin e gabuar se shërbimi është i dedikuar vetëm për ta.

Edhe nëse qëllimi i publikimit ka qenë informues apo praktik, mënyra e prezantimit nuk reflekton qartë parimin e barazisë dhe universalitetit të të drejtave që garanton ligji.

Një komunikim i tillë mund të prodhojë paqartësi dhe të nxisë ndarje të panevojshme në perceptimin publik. Institucionet publike kanë përgjegjësi të veçantë që informacioni që shpërndajnë të jetë i saktë jo vetëm në përmbajtje, por edhe në formë dhe mesazh.

Çdo komunikim duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe në përputhje të plotë me parimet ligjore dhe standardet e informimit publik.

Për këtë arsye, është e arsyeshme që Komuna e Gjilanit të rishikojë dhe riformulojë komunikime të tilla, duke theksuar qartë se Zyra për të Huaj është në shërbim të të gjithë shtetasve të huaj, pa përjashtim.

Vetëm përmes një komunikimi të saktë dhe gjithëpërfshirës mund të shmangen keqkuptimet dhe të ruhet besimi i qytetarëve në institucionet publike.

(Autori është jurist i diplomuar)

Shpërndaj me të tjerët