Zekirija Ramadani: Derbi vendoset nga detajet, nuk ndihemi mysafirë

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur para derbit lokal ndaj Gjilanit, duke theksuar rëndësinë dhe vështirësinë e kësaj përballjeje.

Ai u shpreh se të dyja skuadrat hyjnë në ndeshje me synimin për fitore dhe do të japin maksimumin në fushë.

“Të dyja skuadrat duan fitoren dhe do të bëjnë gjithçka për ta arritur atë. Vijmë nga një fitore në mesjavë, por në derbi nuk luan rol as pozita në tabelë e as forma momentale. Një gabim i vetëm mund ta përcaktojë ndeshjen,” deklaroi Ramadani.

Sipas tij, Drita nuk e ndjen veten si mysafire në këtë përballje.

“Nuk e ndiejmë veten si mysafirë. Çdo fitore ka vlerën e vet, por në derbi, përveç tre pikëve, fiton edhe krenaria dhe kjo i jep një rëndësi të veçantë,” theksoi ai.

Në fund, Ramadani shtoi se përballja do të jetë shumë e vështirë, duke pasur parasysh se ekipet njihen shumë mirë mes vete.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi me rivalin njihemi shumë mirë,” përfundoi trajneri i Dritës.

Ndërkohë, Ramadani foli edhe me emocione për ndarjen nga jeta të ish-zëdhënëses së klubit, Elife Sherifi, e cila ndërroi jetë para tri ditësh.

Ai theksoi se në rast fitoreje, skuadra do t’ia dedikojë atë asaj.

“Nëse fitojmë, fitoren do t’ia dedikojmë Elifes. Ishte pjesë e rëndësishme e klubit tonë dhe humbja e saj na ka prekur të gjithëve,” u shpreh Ramadani me emocione para mediave.

 

 

Shpërndaj me të tjerët