Debatik Curri: Jemi gati për derbi, duam mbështetje të madhe nga tifozët

Trajneri i Gjilanit, Debatik Curri, ka deklaruar se skuadra e tij është e përgatitur maksimalisht për derbin lokal ndaj Dritës.
Curri theksoi se ekipi ka punuar mirë gjatë javës dhe e ka analizuar kundërshtarin, duke e vlerësuar Dritën si një rival të fortë.

“Jemi gati për ndeshjen, e kemi përgatitur mirë lojën. Është derbi lokal dhe ka rëndësi të madhe. Kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë,” u shpreh ai.

Ai i bëri thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë në stadium dhe ta mbështesin ekipin në këtë përballje të rëndësishme.

“I bëj ftesë shikuesve që të vijnë sa më shumë dhe të na mbështesin si vendas. Përkrahja e tyre është shumë e rëndësishme për ne,” tha Curri.

Sipas tij, derbi ka peshë të veçantë jo vetëm për lojtarët, por edhe për klubin dhe qytetin.

“Derbi është shumë i rëndësishëm për lojtarët, ekipin, tifozët dhe gjithë qytetin. Ekipi është përgatitur mirë dhe besoj se kemi potencial për të qenë më lart në tabelë,” shtoi ai.

Në fund, Curri nënvizoi se Gjilani ndodhet në një moment të mirë, por kërkoi qetësi dhe përkushtim maksimal nga skuadra.

“Jemi në momentumin më të mirë, por duhet të qëndrojmë me kokë të qetë, me angazhim dhe përkushtim maksimal, pa eufori. Duhet të jemi në një nivel edhe më të lartë se ky që kemi aktualisht,” përfundoi trajneri i Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët