Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përgatitjeve për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, stafi i Zyrës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Gjilan zhvilloi një takim me komandantin e Stacionit Policor, Besim Rexhepi, dhe togerin e Policisë së Kosovës, Feriz Abazi.
Takimi kishte për qëllim koordinimin e aktiviteteve për garantimin e një procesi zgjedhor të qetë, demokratik dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.
Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje që lidhen me sigurinë gjatë fushatës zgjedhore, menaxhimin e tubimeve dhe aktiviteteve elektorale, reagimin ndaj incidenteve të mundshme, si dhe sigurinë në ditën e votimit, përfshirë qendrat e votimit dhe Qendrën Komunale të Numërimit në Gjilan.
Kryesuesi i KKZ-së i njoftoi përfaqësuesit e Policisë për ecurinë e përgatitjeve zgjedhore, me theks të veçantë te fushata zgjedhore që nis zyrtarisht më 28 maj, si dhe te masat e sigurisë për Qendrën Komunale të Numërimit.
Në takim u theksua se zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe i besimit të qytetarëve në institucione, ndaj përgjegjësi e përbashkët mbetet zhvillimi i procesit në mënyrë të qetë, të sigurt dhe në përputhje të plotë me ligjin.
