Sot mbushen plot 24 vjet nga një prej datave më të rënda në historinë e pasluftës së Gjilanit. Më 24 prill 2002, një tërmet i fuqishëm me magnitudë mbi 5.2 ballë të shkallës Rihter goditi qytetin, duke lënë pas një viktimë, mbi 100 të lënduar dhe dëme të papërshkrueshme materiale.
Mijëra familje u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre, duke kaluar ditë e net nën tenda mes ankthit të dridhjeve të njëpasnjëshme.
Në atë kohë, Presidenti Historik I Kosovws, Ibrahim Rugova, vizitoi qytetin për t’u dhënë kurajo qytetarëve, ndërsa shërbimet emergjente, Policia dhe TMK-ja u mobilizuan në një aksion gjigant solidariteti.
Përtej kujtimit, shkenca sizmologjike hedh dritë mbi natyrën e këtyre lëkundjeve në rajonin e Anamoravës.
Profesori i Institutit Sizmologjik të Tiranës, Shyqri Aliaj, i cili hulumtoi terrenin në Gjilan menjëherë pas ngjarjes, ka shpjeguar se tërmetet e kësaj magnitude kërkojnë dekada për të akumuluar energjinë e nevojshme.
Sipas tij, një lëkundje e përmasave të vitit 2002 mund të përsëritet pas një cikli prej rreth 80 vitesh.
Të dhënat historike të Institutit të Tiranës tregojnë se ky rajon ka pasur lëkundje edhe më të fuqishme në të kaluarën, siç ishte tërmeti shkatërrimtar i vitit 1755, i cili vlerësohet të ketë pasur një fuqi prej 9 ballësh të Merkalit.
Megjithëse tërmetet e forta ndodhin rrallë, sizmologët bëjnë thirrje që shkalla e rrezikshmërisë të mos neglizhohet kurrë.
Ekspertët theksojnë se gjatë projektimit dhe ndërtimit të objekteve të larta në Gjilan dhe rrethinë, respektimi i standardeve antisizmike është masa e vetme e domosdoshme për të garantuar jetën e qytetarëve në të ardhmen.
Sot, pas 24 vitesh, kjo përvjetor shërben si një thirrje për reflektim: për të kujtuar qëndresën e vitit 2002, por edhe për të ndërtuar me përgjegjësi, duke e ditur se natyra, herët a vonë, kërkon hapësirën e saj.
