Genc Shala, talenti nga Gjilani, do të jetë zëri dhe figura e Kosovës në edicionin e sivjetshëm të “Montenegro Future Festival”.
Ai është përzgjedhur nga Federata Esports Kosova për të garuar në “Mediterranean Esports Games” (MEG) 2026, një nga ngjarjet më prestigjioze të industrisë së esports në rajon.
Gara zhvillohet më 24 dhe 25 prill në qytetin bregdetar Bar të Malit të Zi, ku Genci do të masë forcat në kategorinë eFootball.
Ky event ndërkombëtar mbledh lojtarët më të mirë nga rajoni dhe më gjerë, duke shërbyer si një platformë e fuqishme për gaming, inovacionin dhe teknologjinë digjitale.
Pjesëmarrja e Genc Shalës në këtë nivel garash konfirmon rritjen e lojtarëve gjilanas në skenën e esports.
Edhe pse në kategorinë tjetër, Tekken 8, Kosova nuk arriti të kualifikohej këtë herë, sytë e komunitetit të gaming janë te Genci, i cili synon rezultate pozitive përballë konkurrentëve nga dhjetëra shtete pjesëmarrëse.
Eventi organizohet nga Federata Mesdhetare e Esports në bashkëpunim me Federatën e Malit të Zi, dhe pritet të vizitohet nga mijëra adhurues të industrisë digjitale.
I urojmë suksese Gencit në këtë sfidë të rëndësishme ndërkombëtare, me shpresën që të kthehet me rezultate kulminante për Gjilanin dhe mbarë Kosovën!
