VOLEJBOLL / Drita nuk ndalet, ja kush janë tre “përforcimet” e mëdha për sezonin e ri!

Klubi i Volejbollit “Drita” (Meshkujt) ka konfirmuar se po ndërton një projekt afatgjatë duke u bazuar te talenti vendor.

Klubi ka njoftuar zyrtarisht se tre lojtarët premtues, Kejsan Mavriqi, Mal Devaja dhe Lir Jusufi, do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës së parë edhe për sezonin e ri.

Ky vendim i klubit vjen si pasojë e përkushtimit dhe disiplinës së treguar nga lojtarët, të cilët tashmë kanë fituar besimin e plotë të stafit teknik.

Përfshirja e tyre në ekipin senior shihet si një investim direkt në gjeneratat e reja dhe një dëshmi e punës cilësore që po bëhet brenda akademisë së klubit.

Reprezentuesit e Kosovës në radhët e Dritës

Vlera e këtyre talenteve konfirmohet edhe në nivel kombëtar, Kejsan Mavriqi, i cili mban edhe shiritin e kapitenit te Përfaqësuesja e Kosovës U18, së bashku me Mal Devajën, janë pjesë e rregullt e Kosovës, ndërsa pritet që këtij rrugëtimi t’i bashkohet së bashku edhe Lir Jusufi.

“Vazhdimësia e tyre është dëshmi e punës së mirë dhe investimit në gjeneratat e reja të klubit. KV Drita vazhdon të ndërtojë të ardhmen mbi talentin vendor, me synime të qarta për suksese edhe më të mëdha në sezonin që na pret”, thuhet në njoftimin e klubit bardhekaltër.

Me këtë lëvizje, KV Drita tregon se mbetet një vatër e pashtershme e talenteve, duke synuar majat e volejbollit kosovar me djemtë e qytetit të tyre.

Shpërndaj me të tjerët