Emri i Ismet Hazirit zë një vend të veçantë në historinë e boksit kosovar. Boksieri i artë i ish-KB Partizanit të Gjilanit dhe më pas i KB Prishtinës, pjesë e gjeneratës së artë të boksit të Kosovës, edhe sot i kujton me emocion ditët kur ringu ishte arena ku shkruhej historia.
Një nga momentet më të paharrueshme të karrierës së tij lidhet me vitin 1983, në Palestrën “1 Maji” në Prishtinë.
Para më shumë se 5 mijë shikuesve, Haziri u përball me kampionin e shumëfishtë serb Stankoviq nga Leskovci, një boksier i njohur i kohës që mbronte ngjyrat e klubit Pula të Kroacisë dhe konsiderohej favorit absolut.
Por ajo mbrëmje do të mbetej gjatë në kujtesën e sportdashësve.
Me vendosmëri, guxim dhe grushte të fuqishme, Haziri e vuri në vështirësi të mëdha rivalin e tij, duke e tronditur kampionin serb në një duel që u komentua gjatë në qarqet sportive të ish-Jugosllavisë.
Jehona e asaj ndeshjeje ishte aq e madhe sa edhe selektori i reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, Bruno Hartinski, në një deklaratë për televizionin shtetëror të asaj kohe kishte thënë:
“Stankoviq shpëtoi nga vdekja e sigurt. Një boksier nga Prishtina, gjysmë invalid me hundë të thyer e me arkadë të dëmtuar, me grushta betoni, për pak sa nuk ia mbylli sytë përgjithmonë.”
Kjo deklaratë, ndonëse e thënë në gjuhën karakteristike sportive të kohës, pasqyronte forcën, vendosmërinë dhe shpirtin luftarak të Ismet Hazirit, i cili në ring njihej si një boksier që nuk dorëzohej kurrë.
Sot, pas shumë dekadash, Haziri jeton në Gjilan, ndërsa rrënjët i ka nga Karadaku i Gjilanit.
Ai vazhdon të mbetet një nga figurat më të respektuara të boksit kosovar, një sportist që me paraqitjet e tij bëri krenarë Gjilanin, Prishtinën dhe gjithë sportdashësit shqiptarë.
Kujtimet nga ato duele të mëdha mbeten pjesë e historisë së artë të boksit kosovar, ndërsa emri i Ismet Hazirit vazhdon të përmendet me respekt nga gjeneratat që e përjetuan atë epokë të lavdishme të sportit./Sylejman Ismajli/

